Agjencia e Shërbimeve Publike, ADISA vazhdon shtrirjen e saj në të gjithë territorin e vendit. Në qytetin e Krujës është çelur sot Qendra me një ndalesë e Shërbimeve Publike, në të cilën qytetarët do të mund të marrin mbi 230 shërbime nga 6 institucione shtetërore qendrore dhe vendore. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ministri për Çështjet Vendore, Eduard Shalsi, Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, Ambasadori Italian Alberto Cutillo, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP, Brian Willimas, deputetë të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, drejtuesit e institucioneve që ofrojnë shërbimet e tyre në këtë qendër, përfaqësues të pushtetit vendor etj. “Ne kemi nevojë si shoqëri të ndërtojmë besim reciprok të shtetit tek qytetarët dhe të qytetarëve tek shteti. Për të ndërtuar këtë besim duhen mekanizma dhe gjithë përpjekja jonë ka qenë të forcojmë shtetin për të ndërtuar besimin. Për këtë duhet një sistem i caktuar dhe gjithë reforma konsiston pra në këtë sistem, të cilin ne po ndërtojmë”, është shprehur ministrja Harito në fjalën e saj. Pasi ka shpjeguar në mënyrë të përmbledhur se si funksion sistemi i ngritur, ministrja Harito është ndalur te transparenca që siguron ai për qytetarët: “Transparenca dhe mënyra se si jepen shërbimet në këtë zyrë, por dhe në të gjitha zyrat e tjera të ADISA-a, është një instrument për të fuqizuar qytetarin në mënyrë që ai t’i kërkojë llogari shtetit”. “Përmirësimi i shërbimeve publike është një sfidë në të gjithë botën, – vijoi ministrja Harito – që nuk matet në GDP-në e vendit ose të paktën jo në mënyrë direkte, por është tregues i cilësisë së jetës së qytetarëve dhe i nivelit të zhvillimit të vendit”. Ministri për Çështjet Vendore, Eduard Shalsi tha se ishte surprizuar kur disa muaj më parë si kryetar i Komisonit të Veprimtarive Prodhuese kishte vizituar qendrat e ADISA në Tiranë dhe Kavajë, nga ndryshimi i madh në ofrimin e shërbimeve publike. Ai theksoi se tashmë stafi i tij do të bashkëpunojë ngushtë me ADISA që kjo përvojë e mirë do të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit. Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein e cilësoi hapjen e Qendrës së integruar si një hap cilësor për shërbime më cilësore ndaj qytetarëve. “Ne sot këtu po shohim ambjente të bukura dhe zyra moderne, por ajo çfarë ju nuk shihni dhe që është akoma më e rëndësishme është procesi i riinxhinierimi dhe thjeshtëzimi i procedurave dhe monitorimi i performancës në ofrimin e shërbimeve publike të shtetit, në të mirë të qytetarit” Për Ambasadorin Italian Alberto Cutillo, reforma në shërbimet publike ka bërë që qytetarët përmes qendrave të integruara ADISA, të mund të marrin shërbimin në standard dhe me transparencë në mënyrë të barabartë. Brian Willimas, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqesues i Përhershem i UNDP u shpreh se hapja e kësaj qendre është dhe një iniciativë e qeverisë shqiptare për ta pasur qytetarin në fokus dhe për t’i parë shërbimet nga syri i tyre. “Qytetarët duan shërbime që janë efiçente, më pak burokratike dhe më pak korrupsion. Kjo qendër dhe të tjerat që do të hapen në të gjithë vendin, duhet t’i plotësojnë të tre këto kushte”. Qendra me një ndalesë në qytetin e Krujës është pjesë e një projekti inovativ që synon ti japë zgjidhje një problematike të hershme dhe të vazhdueshme të shërbimit të administratës shtetërore ndaj qytetarëve. Në këtë qendër janë vendosur sportelet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Gjendjes Civile, Sigurimeve Shoqërore, Qendrës Kombëtare të Biznesit, Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Qendra e Krujës është e dyta, pas asaj të hapur në muajin nëntor në qytetin e Kavajës, ku vetëm në katër muaj nga hapja ka pasur një fluks prej mbi 10.000 aplikimesh. Ndërkohë që së shpejti pritet të happen edhe në dy qytete të tjera si Fier dhe Gjirokastër.

There are no comments yet.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>