RIKONTRUKSIONI I RRUGËS “MARIN BARLETI” NE KRUJË

Bashkia Krujë, në prag të afrimit të sezonit turistik po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e infrastrukturës së duhur rrugore.  Mes shumë akseve të dëmtuara, Kryetari Z.Artur Bushi, ka ngritur një grup pune në evidentimin e gjithë  rrugëve në të cilën turistët kalojnë dhe sistemin e tyre brenda muajit prill.

Rruga e parë e cila po rikonstruktohet është rruga “Marin Barleti” që lidh qendrën e qytetit me një nga lagjet më të vjetra të Krujës, Varosh e më tej bashkohet me rrugën e Malit e më pas drejt Malit të Krujës.  Në këtë rrugë, nga dita e nesërme do vazhdojnë edhe vijëzimet, duke e kthyer këtë rrugë në një aks me gjithë parametrat e duhur.

Me anë të një postimi në facebook, kryetari i Bashkisë, Z.Bushi ka shkruar  “Një qyteti turistik nuk i shkojnë përshtat rrugët me gropa e herë të pakalueshme, prandaj rikonstruksionet i nisim nga rruga “Marin Barleti” ku në pak ditë do të jetë gati bashkë me vijëzimet e bardha”. Duke treguar rëndësinë që ka turizmi në këtë qytet.

Pas kësaj do vazhdohet me mirëmbajtjen e rrugës kryesore, ku do të shikohen të gjitha segmentet e dëmtura dhe vijëzimin e rrugës nga Fushë Kruja deri në Krujë.

Pastrimi i kanaleve kulluese në Njësinë Administrative Bubq

Kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi, pa nga afër një nga punimet kryesore të bërë në Bashki, sikundër pastrimi i kanaleve kulluese është. Sipas tij Bubqi është një nga zonat më të mira të kësaj Bashkie, nisur nga sipërfaqjet e mëdha bujqësore që kjo zonë ka, me një potencial të madh të zhvillimit të bujqësisë.

Pastrimi i 7 kilometrave te kolektorëve që nisin nga fshati Bubq deri nëë fshatin Gjuricaj, përbën një investim serioz për të mbyllur njëherë e mirë historinë e përmbytjeve në këtë zonë, por edhe duke i dhënë mundësi të mirë zhvillimit të bujqësisë. Gjithashtu, janë pastruar edhe 540 metra kanale dytësore që lidhen me kolektorin kryesor në fshatin Mazhe e Madhe.

Sipas Kryetarit të Bashkisë, kjo është faza e parë e punimeve në këtë zonë, në pastrimin e kanaleve kulluese, që deri më sot kanë qenë të harruara prej vitesh. Faza e mëtejshme do vazhdojë në fund të muajit prill me pastrimin e kanaleve të tjera dytësore, deri në përmbushjen e premtimit që brenda këtij mandate nuk do ketë asnjë kanal kullues pa pastruar dhe sistemuar.

ZHVILLIMI I BUJQËSISË PËRMES POLITIKASH NXITËSE

Në Krujë,Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pa nga afër dy prej investimeve më të mëdha në bujqësi, të cilat kanë përfituar nga qasja e re e qeverisë shqiptare në funksion te zhvillimit të bujqësisë, si një nga degët më të rëndësishme në ekonominë shqiptare. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Krujë Z. Artur Bushi panë nga afër një nga serat më modern në Shqipëri dhe të dy bashkë përçuan mesazhin për zhvillim akoma më madh në këtë fushë, pasi mundësitë janë të shumta.

 

Sipas Kryeministrit,bujqësia është sektor nevralgjik në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, e cila zë një peshë të rëndësishme në GDP e Shqipërisë rreth 20% të saj. Rëndësi e marrë, falë dhe politikave të reja në mbështetje të prodhimit, grumbullimit dhe eksportit ku në dy vite është dyfishuar sipërfaqja e serave dhe eksporti i prodhimeve bujqësore ka njohur rritjen më të madhe të 25 viteve të fundit. Tjetër nxitje do jetë edhe Fondi Kombëtar i Garancive të Kredive Bujqësore, falë mbështetjes së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku çdo sipërmarrësi në fshat I janë vënë në dispozicion 300 milion euro kredi me interesa të ulëta.

 

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Krujë përmendi mundësitë e mëdha që ka Bashkia Krujë, nisur nga sipërfaqja e madhe e tokës bujqësore rreth 50% të saj e shembull për këtë mori investimin e bërë ne zonën e Krujës. Gjithashtu garantoi se në buxhetin e vitit 2016 është parashikuar një fond i veçantë për bujqësinë, që bazohet në pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse, çka deri sot është kthyer dhe pengesë për zhvillimin e bujqësisë. Gjithashtu përmendi se më në fund Kruja do te ketë një treg që do menaxhohet nga Bashkia, dhe hapja e saj do bëhet brenda muajit mars, duke siguruar kështu infrastrukturën e duhur për tregtimin e produkteve bujqësore në Krujë.

 

Gjithashtu mes Kryeministrit të Shqipërsië dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë u diskutuan një sërë investimesh që do nisin në Krujë, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare. Një ndër to është edhe zgjerimi i rrugës hyrëse të qytetit, ndriçim të ri, trotuare në gjithë rrugët e Krujës, parkingun e qytetit Krujë dhe rehabilitimin e qendrës së Krujës.

Hartimi i Masterplanit te Pergjithshem

Bashkia Krujë është një prej 26 bashkive që mbështeten nga qeveria për hartimin e planit rregullues të territorit dhe Fushë Kruja ishte qyteti i parë që përfitoi direkt fondin për fasadat dhe kanalizimi i ujrave të shiut, duke i dhënë tjetër pamje qytetit.

Bashkë me Ministren Eglantina Gjermeni diskutuam për projektet që kanë një rëndësi të madhe në Bashkinë Krujë, si një nga zonat me potenciale turistike të mëdha.

TAKIM ME MINISTREN E ZHVILLIMIT URBAN DHE PERFAQESUES TE FONDACIONIT SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ZHVILLIM (AADF)

Kruja ishte vizita e rradhës e  Ministres së Zhvillimit Urban Znj.Egantina Gjermeni dhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro- Amerikan me Kryetarin e Bashkisë Krujë Z.Artur Bushi.  Zhvillimin i mëtejshëm i infrastrukturës e përqëndruar më tepër në atë turistike, rregullimi i qendrës së qytetit Krujë dhe promovimi i Krujës turistike ishin disa nga çështjet kryesore që u trajtuan në takim. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Pazarit të Vjetër, ku falenderuan edhe njëhere për investimin e bërë në Pazarin e Vjetër të Krujës.

 

Gjate  takimit, Ministrja Eglantina Gjermeni siguroi mbështetjen e plotë për Bashkinë Krujë, në vizionin e saj transformues dhe kthimin e Krujës në një identitet historik dhe kulturor, përmes projektesh në rivitalizimin e zonës historike dhe kulturore. Gjithashtu u theksua se vetë Bashkia Krujë është një ndër 26 bashkitë e zgjedhura nga Qeveria Shqiptare ne hartimin e Planit Rregullues të Territorit, e cila aktualisht është në fazën e analizave  mbi mundësitë e zhvillimit që ka Bashkia Krujë, duke ju dhënë një hapësirë e veçantë, qytetarëve të Bashkisë Krujë në dhënien e propozimeve dhe diskutimeve për Planin Rregullues përmes dëgjesave Publike.

 

Nje vend i rëndësishëm ju dha dhe bashkëpunimit me Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, t në financimet konkrete kanë bërë të mundur tjetërsimin e fasadës së Pazarit të Vjetër të Krujës. Gjatë fjalës së tyre falenderuan Kryetarin e Bashkisë për rëndësine që ju dha Kalasë së Krujës me sistemin e zonës hyrëse nga shitësit ambulant dhe lirimin e hapësirave publike. Ata rikthesuan edhe njëhere angazhimin e tyre maksimal për rivitalizimin e zonës historike me plot vlera që kjo zonë mbart. Drejtuesit AADF Z. Aleksandër Sarapulis dhe Z. Martin Mata diskutuan për çështjet që mundësojnë promovimin e turizmit, sikundër sinjalistika turistike duhet, qendra informuese (Info-point) apo dhe pasja e infrastrukturës së nevojshme, pa harruar këtu dhe mbështetjen e artizanëve në nxitjen e punimeve krutane.

 

Kryetari i Bashkisë Krujë, Z.Artur Bushi në fjalën e tij, falenderoi Ministren Eglantina Gjermeni si shprehje e vëmendjes që qeveria shqiptare ka për Krujën. Gjithashtu shprehu mirënjohjen për investimin e bërë të Pazarit të Vjetër të Krujës nga ana e  “miqve të Krujës” siç i cilësoi Kryetari Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Ai siguroi gjithë mbështetjen nga ana e Bashkisë Krujë për çdo projekt në nxitjen e Krujës turistike si dhe bëri një pasqyrim të punës së bërë deri më tani nga ekipi i tij për mirëmmbajtjen e Pazarit të Vjetër, lirimin e hapësirave publike nga tregtarët ambulant dhe ndërtimet pa leje. Gjithashtu vuri në dijeni për taksat e reja që janë parashikuar për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në Pazarin e Vjetër duke i përjashtuar nga çdo lloj detyrimi.