Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Krujë, përfaqësuar respektivisht nga Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Krujë Z. Flroind Cerhozi, nënshkruan marrëveshjen për mbështetjen e bizneseve vendase në Kalanë e Krujës përmes biletave falas në Muzetë e Krujës, si mënyrë për të ftuar turistët vendas për të vizituar qytetin historik.
Znj. Margariti u shpreh se biletat falas janë një mënyrë për të mbështetur bizneset këtu, të cilat jo pak janë dëmtuar nga situatat e pas tërmetit dhe pandemisë. Përpos të Dielave që do të jenë falas, apo reduktimi i çmimit të biletave, shtuar dhe biletat falas që po ua dhurojmë bizneseve, janë gjeste të vogla, por që Ju vijnë në ndihmë. Kjo situatë nuk duhet të na pezmatojë, por të shikohen si një mundësi më shumë për të krijuar hapësira të përbashkëta, sepse nuk duhet ta ndalim angazhimin për të pasur sa më shumë vizitor, në Krujën e bukur. Ne kemi një vëmendje të shtuar për Krujën, përmes projekteve konkrete, ku vizoni ynë madhor është që Kruja të jetë kthehet sërish një destinacion turistik i madh dhe banorët e kalasë të jenë bujtës të vertëte dhe krenar për bukuritë jo vetëm të historisë dhe natyrës por edhe të punës së tyre.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Krujë, Z. Cerhozi u shpreh tejet falenderues për këtë mundësi që ofron Ministria e Kulturës, e cila motivon qoftë bizneset por fton edhe turistët sidomos ato vendas për të vizituar sërish Krujën, siç kanë bërë gjithmonë. Gjithashtu, nga ana jonë po shohim mundësinë për të reduktuar edhe taksat lokale, si mënyrë që biznesi vendas ti “mbijetojë” këtij sezoni të vështirë.
Nga kjo marrëveshje, Bashkia Krujë do të ketë 5000 bileta për të dy muzetë e qytetit, Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” Krujë dhe Muzeun Etnografik Krujë, të cilët do të përfitojnë bizneset vendase.
Pas kësaj, u pa nga afër puna që po ka nisur për rikonstruksionin e Teqesë së Dollmës, monument kulture i kategorisë së I, i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, ku po punohet në pajantimin e mureve të teqese.

