Bashkia e Krujës gjendet në pjesën veriore të Shqipërisë së mesme. Shtrihet midis kodrave të Ishmit, fushave te Kamzës, malit të Dajtit, zonës së Mnerit, Qafë-Shtamës, malit Skënderbej dhe zonës së Kurbinit. Kufizohet me Bashkinë Laç, Durrës, Vorë, Kamëz, Tiranë edhe Mat. Ajo shtrihet në një sipërfaqje prej 339.02 km2. Relievi i zonës paraqet një mozaik formash dhe tipologjish me lartësira që zbresin gradualisht në drejtimin lindje-perëndim. Zona fushore shtrihet në perëndim midis kodrave të Ishmit – Prezë, Tapizë, Krastë Krujë. Zona kodrinore ka një lartësi 100-300 m lartesi mbi nivelin e detit. Zona malore përbëhet nga dy vargje paralele me drejtim veri-perendim dhe jug-lindje. Vargu Kruje-Dajt dhe vargu Skenderbej (maja e Liqenit qe është dhe maja më e lartë e rrethit Kruje). Bashkia ka si qendër qytetin Krujës që shtrihet në faqen perëndimore të malit të Krujës me një lartësi 600 m mbi nivelin e detit.

Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Krujë, Fushë-Krujë, Bubq, Nikël, Thumanë dhe Cudhi. Në bashkinë e re gjenden dy qytete dhe 50 fshatra. Të gjitha njësitë janë pjesë e Rrethit Krujë të Qarkut Durrës. Sipas Censusit të vitit 2011 Kruja ka 59.814 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 79.608 vetësh. Kruja ka një sipërfaqe prej 339.02 km2. Sipas Censusit, densiteti i popullsisë është 176.43 banorë/kmndërsa sipas Regjistrit Civil dendësia është 234.81 banorë/km2. Referuar të dhënave nga Regjistri i Gjendjes Civile, Njësia më e madhe administrative është Fushë Kruja, me 27,076 banorë dhe 7,704 familje. Thumanë me 16.563 dhe 2.929 familje, Kruja me 16,345 banorë dhe 5,129 familje, Nikël me 10,563 banorë dhe 2,929 familje. Njësia Bubq me 8,805 banorë dhe 2,495 familje dhe Njësia Cudhi me 2,988 banorë dhe 987 familje. Rritja e popullsisë është me 2,964 banorë nga viti 2015. Mesatarisht 741 banorë në vit. Shtimin natyror më të madh e ka Njësia Fushë Krujë me 319 banorë në vit, Thumanë me 190 banorë, Krujë 51 banorë, Bubq me 74 banorë, Nikël me 107 banorë dhe Cudhi në vlera negative -10 banorë. Në Bashkinë Krujë ka 27 shkolla që janë drejtori dhe 11 janë vartëse. Ndërsa godina të arsimit parashkollor janë 30 godina ( 2 çerdhe dhe 28 kopshte). Ndërkohë, Qendra Shëndetësore janë 6 dhe 36 ambulanca.

Screen Shot 2016-06-13 at 3.01.31 PM

Pikërisht vendodhja gjeografike ku shtrihet Bashkia e Krujës, si kufizim i rëndësishëm i rrugëve që lidh veriun me jugun, lindjen me perëndimin. Gjatë rrugëve nuk mungojnë krojet e shumta, rrapet që shërbenin si pika pushimi për këmbësorët e jo rastësisht janë pranë rrugëve kryesore të mesjetës. Vendabanimet e lashta ilire, ndërtimi i kështjellës së Krujës dhe urbanizimi i zonave përreth, kushtëzuan zhvillimin e jetës dhe veprimtarisë njerëzore duke zhvilluar kulturën dhe identitetin shqiptar mes periudhës ilire dhe mesjetare. Falë pozitës gjeografike nxitën zhvillimin e jetës siç është rasti i Zgërdheshit, si trashëgimi e pastër e qytetërimit ilir në pjesën më të lartë të kodrës në fshatin Halil apo dhe zhvillimi i qyteterimit mesjetar dhe rezistencës ndaj osmanizimit në pjesën më të lartë të qytetit Krujë, në një shkëmb malor të qytetit Krujë.

Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane

Si shkohet:  Largësia e Tiranës nga Kruja është 37 km. Nëse udhëtoni me mjete publike, furgonat për në Krujë nisen në fund të Rrugës Mine Peza. Rruga për në Krujë kalon nga kryqëzimi i Kamzës, Ura e Tapizës, merr djathtas për në Fushë-Krujë pasi keni lënë autostradën Tiranë-Lezhë dhe pasi jeni futur në zonën e Fushë-Krujës, vazhdoni në dalje drejt lindjes. Pak para se t’i ngjiteni malit, në të djathtë ndodhet qyteti ilir i Albanopolisit.

Pa dyshim mund të quhet aktraksioni më i madh turistik në Shqipëri, si për të huajt ashtu edhe për ne. Çdo ditë pret vizitorë të shumtë në numër të cilët shijojnë një rikthim në epokën mesjetare mes mureve të kalasë dhe rrugicave me gurë, pamjen mahnitëse që të shfaqet, muzeumet e historisë dhe traditës. E pa harruar pazarin e famshëm ku asnjë nuk i shpëton tundimit për të blerë sende dhe objekte të vjetra që vetëm aty mund ti gjesh.

Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë, bën gjithmonë kohë e bukur.

Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit – tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh – e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu- i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë.

Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.

Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë.

Tek portat e Krujës

Makina medoemos duhet të qëndrojë poshtë, e sido që të përpiqemi t’i afrohemi rrezes së kalasë mbi rrota, nuk shkojmë dot më larg sesa tek parkimi me pagesë tek sheshi i vogël i mbushur me lokale e me lule kacavjerrëse. Kalldrëmin e bukur do ta përshkojmë në këmbë, duke kullotur sytë në tezgat e shumta përgjatë të dy anëve të rrugës, të cilat vazhdojnë nëpër tunel, e dalin në oborrin e jashtëm, ose më mirë të themi në sheshin e mbushur dingas me njerëz, tezga, suvenire, restorante, shkrepje aparatesh, vizitorë që pozojnë pa fund ballë fasadës së Muzeut Historik, e gjithçka tjetër që përbën gjallërinë e nevojshme të një qendre turistike.

Restorante të shumtë kanë mbushur këtë shesh përqark dhe brenda ambienteve të kalasë, e kjo është një gjë e trishtueshme po të mendosh se shumicën e njerëzve mund t’i ketë sjellë këtu kuzhina e mrekullueshme e Lulit, në restorantin e tij “Alba”, apo gatimet me famë të restorant “Bardhit” e kështu me radhë. Por ana e mirë e kësaj dukurie që rëndom po përhapet në sitet kulturore shqiptare është se këto restorante e hotele, përpiqen të mos shkatërrojnë peisazhin ose dukjen e arkitekturës, duke ruajtur shumë prej elementeve të ndërtesave ekzistuese, qeramikë, gur, dru, hekur i rrahur etj. Oborri i “Albës” ku hyjmë të pijmë një kafe, ndërkohë që na pret krahëhapur i zoti i shtëpisë, nuk ka ndonjë ndryshim nga kalldrëmi i jashtëm i sheshit e gjithashtu veshja e mureve me tullë, tavolinat e zbukuruara me mbulesa të punuara me dorë po nga artizanet e Krujës, e ruajnë më së miri dukjen shqiptare.

Të huajt preferojnë gatimet shqiptare si tavë dheu, kabuni, apo mish të pjekur në hell. “Kjo është një gjë që ndodh gjithmonë, -thotë Luli. Të huajt kërkojnë kuzhinë shqiptare dhe më pyesin vazhdimisht për vende ku duan të shkojnë të shohin diçka. Fundja ata për këtë kanë ardhur. Nëse nuk janë pjesë e një grupi, duan që t’i çosh në Sarisalltik, nganjëherë edhe deri në Qafshtamë, ose kërkojnë informacione për Muzeun Etnografik, duan të dinë se çfarë mund të blejnë poshtë tek pazari që të jetë me vlerë”- përfundon ai.

Zotëron kryesisht klimë mesdhetare malore me dimër të ftohtë e verë të freskët. Reshjet e pranishme janë kryesisht në formë shiu por nuk përjashtohen edhe reshjet dëborës. Temperaturat mesatare luhaten mes 07-10 gradë Celcius në dimër dhe 25-32 gradë Celcius në verë.

STATISTIKA

Ne bashkine Kruje ka 30 cerdhe dhe kopshte, 1 spital, 6 qendra shendetesore dhe 32 ambulanca.