Zëvendëskryeministri Niko Peleshi i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi është ndalur në disa prej investimeve të realizuara në këtë Bashki nën programin e Rilindjes Urbane.
Në qytetin e Fushë Krujës ai vizitoi shkollën “Shote Galica”, e cila përveç ndërhyrjes së plotë në godinën e saj ka pajisur me infrastrukturën moderne klasat, laboratorët dhe palestrën. Peleshi duke përmendur investime të tjera në shkolla për këtë bashki, gjithsej 5 shkolla të rikonstruktuara plotësisht, theksoi se nevoja për ndërhyrje të tilla është ende e madhe.
“Nevojat janë akoma më të mëdha dhe nuk mund t’i zgjidhim dot në tre vite po të paktën atje ku ndërhyjmë, të jetë ndërhyrja e plotë. Pra edhe të pajisen me laboratorë, mjete shkollore, por edhe terrenet sportive, apo palestrat kanë shumë rëndësi për ne, sepse janë pjesë e programit të shkollës komunitare”, tha Peleshi. Në qytetin e Fushë Krujës, Peleshi u ndal edhe tek qendra e këtij qyteti e cila është transformuar rrënjësisht.
Ndërsa në qytetin e Krujës, Peleshi, inspektoi punimet e sapofilluara në rrugën hyrëse. Punimet përfshijnë rikualifikimin e qendrës dhe ndërtimin e një parkingu nëntokësor, si një zgjidhje inteligjentë për t’i dhënë frymëmarrje fluksit të lartë të lëvizjes në një nga qytetet me më tepër turistë në vend.
Vetëm gjatë vitit në 2016, qytetin e Krujës e kanë vizituar më tepër se 300 mijë turistë. Për këtë arsye sipas Peleshit investimet e shumta në këtë qytet janë jo vetëm të merituara por edhe të vonuara.
“ Për gjatë gjithë hyrjes së qytetit do të bëjmë një ndërhyrje totale, do të restaurojmë dhe rikonstruktojmë fasadat, rrugët, trotuaret dhe do të krijojmë këtu , me Bashkinë një facilitet që mund të them është eksperimentimi i parë në Shqipëri i një parkimi me dy kate nëntokësore. Me këtë parkim nëntokësor do mund të çlirojmë rrugët e qytetit nga trafiku i lartë i autobusëve, sidomos gjatë pikut të sezonit turistik duke e bërë qytetin më të vizitueshëm dhe më miqësor me këmbësorët”, shtoi Peleshi. Investimi prej 360 milion lekësh i shërben rreth 17 mijë banorëve dhe pritet të përfundohet në pranverën e ardhshme