Ditën e djeshme në Kalanë e Krujës, u organizuan një sërë aktivitetesh në kuadër të “Ditës
Botërore të Turizmit”. Cdo vit më 27 shtator, me qëllimin për të nxitur ndërgjegjësimin në mesin
e komunitetit për rëndësinë e turizmit dhe vlerat e tij sociale, kulturore, politike dhe ekonomike,
ky aktivitet bashkon gjithë aktorët për të diskutuar për standartet më të mira të turizmit. Vitet e
fundit, turizmi është bërë posaçërisht i njohur për potencialin e tij ekonomik që të kontribuon në
uljen e varfërisë në vendet në zhvillim. Ky aktivitet, nisi mes kulinarisë tradicionale shqiptare,
artizanatit krutan, veshjeve dhe valleve popullore të performuara nga Qendra Kulturore e
Fëmijëve.
Me tematikën “Turizmi i qëndrueshëm si mjet për zhvillimin”, u zgjodh Kruja për këtë datë të
rëndësishme, si qyteti që pret dhe numrin më të madh të turistëve dhe kjo e shtrirë gjatë gjithë
vitit. Nisur dhe nga ndarja territoriale, bashkia Krujë ofron një produkt turistik shumë të gjërë,
nga turizëm kulturor me Kalanë e Krujës, atë natyror me Malin e Krujës, Qafshtamën,
Agroturizëm dhe atë kurativ me Llixhat në Bilaj. Kjo hapësirë, ofron mundësi argëtimi apo
sportive si “hiking”, çiklizëm, ngjitje në mal, hedhje në parashutë.
Me praninë e Ministrit të Turizmit dhe Bujqësisë Z. Klosi, Drejtorit të Agjensisë Kombëtare të
Turizmit, Z. Collaku, përfaqësueve të pushtetit vendor dhe qëndror, u nënvizuar rëndësia e
turizmit në Shqipëri dhe sfidat që e presin, për të rritur sa më shumë standartet që sot kërkohen
nga turistët.
Për nënkryetarin e bashkisë Krujë, Z. Ilir Loci “ 300.000 turistë për vitin 2016 u cilësua një
sukses, por lajm i mire është se këtë shifër e kemi arritur në 8 muaj për vitit 2017, çka dëshmon
rritjen e vizitorëve”. Investimet që po bëjmë, me rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, dy
parkime, fasadat e pallateve në rrugën kryesore të Krujës, apo dhe sinjalistika bashkë me
dixhitalizimin e shërbimit turistik janë projekte ambicioze për Krujën”. Por për ta kthyer në
industrinë më të madhe të punësimit, ka shumë sfida që duhen arritur, për të qenë sa më
konkurues në ofertën turistike në rajon. Ky aktivitet shërbeu si mundësi e mirë, ku të gjithë aktorët shprehën problemet që kanë dhe mundësitë për tu zhvilluar më tej.