Tirana mikpritëse, festoi në një ditë dhe hapësirë kushtuar krutanëve mes vlerave më të mira të saj. Falë një bashkëpunimi mes dy bashkive Krujës dhe Tiranës, Fondit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, AZHR2 dhe TID Kruja, u organizua “Mozaik Kruje”. Aktiviteti ngjalli interesin e shumë qytetarëve të kryeqytetit, turistëve të shumtë të cilët u njohën me Krujën në çdo vlerë dhe atraksion të saj.
E organizuar në të dy hapësirat e Pazarit të Ri, aktiviteti nisi me panairin e artizantit, ku duarartët e Pazarit Karakteristik sollën produktet artizanale, të një tradite 500 vjeçare që ruhet me fanatizëm nga krutanët. Punimet e bakrit, drurit, shajakut u “servirën” para shumë syresh kureshtar, duke dëshmuar se tradita krutane ende kërkohet e vlerësohet prej shqiptarëve dhe turistëve.
Gjithashtu pjesë ishin edhe bizneset e vogla që merren me prodhime artizanale jo vetëm në qytetin historik të Krujës, por edhe në rrethinat e saj, ku sollën produket prej guri, druri dhe veshje të ndërthurura me elementet moderne të kohës. “Kruja outdoor” u prezantua gjithashtu si një nga atraksionet më të reja të bashkisë Krujë, që me reformën e re territoriale përfshin Parkun Kombëtar të Qafshtamës, ku ofron mundësi për një sërë aktivitetesh sportive, në një nga bukuritë e natyrës shqiptare. Inovacioni u sollë me një platformë të re, “Kruja Virtual Tour”, produkti më i fundit i bashkisë Krujë.
Pazari i Ri u gjallërua nga artistët e rinj krutanë mes performancave artistike në këngë, aktrim, valle dhe dasmën krutane, të prezantura nga Anjeza Maja. Përreth 5 orë në kryeqytet u dëgjuan dhe u kërcyen këngët krutane nga Grupi Karakteristik “Pleqtë e Krujës”, të shoqëruar edhe nga aktori i njohur Xhevat Limani që solli Skënderbeut mes të pranishmëve.
Mozaik Kruje kulmoi në mbrëmje me “Artisan’s Fashion Night” ku u prezantuan nga modelet veshjet tradicionale me motive moderne. Në një skenë e konceptuar në gurë, të ftuarit u njohën me një tjetër anë të vyer të artizanatit, ku veshjet tradicionale mund të përdoren jo vetëm si elementë dekorues, por edhe si rikthim në mode të traditës krutane. Veshjet u realizuan nga artizanët krutanë në kujdesin e stilistes Gerta Oparaku dhe etnografes së njohur Znj. Afërdita Onuzi.
Të pranishëm në “Mozaik Kruje” ishin Nën Kryetari i Bashkisë Krujë Z. Ilir Loci, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Z. Erion Veliaj, Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, deputetët Znj. Eglantina Gjermeni dhe Z. Rrahman Rraja dhe trupi diplomatik i atashuar në Shqipëri, miq të Krujës dhe personalitete të vendit.