Bashkia Krujë, ditën e djeshme kujtoi një nga ditët më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, 28 nëntorin 1443, ku Gjergj Kastriot Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar nga Kalaja e Krujës, duke e kthyer këtë qytet në simbol të rezistencës së popullit shqiptar.

Aktivitet “Nëntori i Parë i Shqipërisë”, u soll para të ftuarëve në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, përmes një natë poetike dhe muzikale me artistët më të njohur shqiptar si Gulielm Radoja, Roza Anagnosti, tenori i njohur Kastriot Tusha dhe artisit i ri Kristian Koroveshi bashkë me grupin e violinistëve. Për gati një orë, muzeu u kthye në një skenë ku zunë vend emocionet nga recitimi i vargjeve të Fan Nolit, Gjergj Fishtës, Naim Frashërit nga mjeshtrat e artit shqiptar Radoja dhe Anagnosti, të shoqëruar nga muzika e kompozitorëve të njohur si Cesk Zadeja, Prenkë Jakova, Aleksandër Lalo, të luajtur nga violinistet Stringirl. Tenori Tusha, i cili u kthye në origjinën e tij, në Krujë performoi këngët “Rrjedh në Këngë e Ligjërime”, “Për ty atdhe” e shumë të tjera, duke marrë duartrokitjet dhe entuziazmin nga publiku krutanë.

Për bashkinë Krujë, ky aktivitet shënon dhe fillimin e “Vitit të Skënderbeut”, ku sipas Z. Drini Masha, Drejtor i Zyrës së Turizmit, për vitin që vjen janë menduar një sërë aktivitetesh artistike, konferenca shkencore mbi rolin e “Gjergj Kastriot Skënderbeun”, pasi qendra e historisë së Shqipërisë është Kruja.
Sipas tij “Kruja i ka dhënë shumë Shqipërisë, gjer me emrin fisit të albanëve, që njihet sot Shqipëria me emrin Albania, Kryeqendrën e parë Arbërore në vitin 1190, “Nëntorin e Parë të Shqipërisë”, “Flamurin Kombëtar” dhe Heroin e shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ky aktivitet u mundësua dhe falë mbështetjes së Agjensisë së Zhvillimit të Rajoneve 2, Banka Credins, Kastrati dhe Hako.