Kruja është një qytet mesjetar që për herë të parë përmendet në shekullin e IX, në një dokument kishtar të vitit 879-të.
Mendohet që emri rrjedhë nga fjala “krua”, burim uji, sepse në Krujë ka shumë burime të tilla.
Sot, Kruja njihet si kryeqendra e rezistencës ndaj pushtuesve osmanë gjatë kohës që Skënderbeu
udhëhiqte këtë rezistencë.
Kështjella e Krujës u rrethua 4 herë nga ushtria Osmane. Në rrethimin e katërt kështjella ra në dorën e pushtuesit. Kruja është një qendër e rëndësishme turistike në Shqipëri.
Sipas statistikave të këtij viti të nxjerra nga drejtoria e shërbimit turistik në Bashkinë e Krujës, këtë qytet e kanë vizituar rreth 305 mijë turistë vendas e të huaj.
Përgjegjësi i Zyrës së Informacionit Turistik të Bashkisë Drini Masha, e konfirmon këtë numër duke specifikuar se “vetëm polakë e kanë vizituar qytetin tonë me rreth 56 mijë turistë, ndërsa vizitorët e huaj të ardhur kryesisht nga Europa, por edhe nga Amerika e Australia, e kalojnë shifrën mbi 105 mijë.”
I pyetur se për se vijnë në Krujë, Masha përgjigjet se ”kanë lexuar dhe dëgjuar për historinë e këtij qyteti, që këtu ndodhet një muze për Heroin tonë Kombëtar, një muze etnografik, ndërtesa mesjetare dhe mbi të gjitha është pika historike më e afërt nga Tirana dhe Aeroporti “Nënë Tereza”.
Në Krujë, ruhet dhe një traditë zejtaria tradicionale e prodhimit me dorë si punimi i leshit, metalit dhe drurit.
Kruja, dallohet edhe për gatimin e saj të veçantë dhe tradicional. Këto janë disa arsye që Kruja vizitohet kaq shumë”, thotë Drini Masha.
Ndërsa Drejtori i Muzeut Gjergj Kastrioti Medi Hafizi, flet për vizitorët e përditshëm të muzeut që janë kryesisht të huaj dhe nxënës shkollash. “ Të huajt vijnë dhe kuriozohen nga historia e Skënderbeut dhe arkifaktet, por dhe nga pozicioni gjeografik i qytetit.