Në vëmendje të qytetarëve, në interes të publikut të gjërë dhe në përgjigje të kërkesave të drejtuara zyrtarisht nga banorë të lagjjes Subash dhe të tjerë, mbi projektin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit 2019 në bashkinë e Krujë, Ju sqarojmë se:

“Qëllimi i Qeverisë Shqiptare përmes Ministrisë së Rindërtimit dhe asaj të Kulturës, në bashkëpunim me stafin e Bashkisë Krujë është strehimi i banorëve të prekur nga tërmeti, sa më shpejt në banesat e reja dhe me kushte e standarde të kohës. Mbi këtë qëllim dhe angazhim është punuar me ritme shumë të shpejta e intensive, si për vlerësimin e demëve të tërmetit, mbylljen e praktikave tekniko-ligjore, ashtu edhe me studime e projekte, në mënyrë që puna dhe rindërtimi të fillojë sa më shpejt në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë.

Mbi shqetësimin e ngritur nga banorët e lagjjes Subash në qytetin e Krujës, e cila është përfshirë nga studio projektuese në perimetrin e sitit të ndërtimit, bëjmë me dije se jemi akoma në kontakt të vazhdueshëm me këtë studio dhe me Ministrinë e Rindërtimit.

Kjo me qëllimin për të studiuar një zgjidhje alternative, për të bërë të mundur plotësimin e nevojave për banesa të reja, për të gjithë banorët që kanë mbetur pa strehë dhe sigurisht, duke i qëndruar parimit të rindërtimit me standartet infrastrukturore, që janë parashikuar të zbatohen me hapësira publike të mëdha për të gjitha grupmoshat, nga fëmijët e deri tek të moshuarit, hapësira për të parkuar etjer, të cilat rrisin ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve. Po ashtu, edhe heqjen nga zona e rindërtimit të kësaj lagjjeje, në mënyrë që të bëhet më e mira për të gjithë, pasi ky është qëllimi dhe angazhimi i punës tonë në gjithë aktivitetin dhe shërbimet që ne kryejmë.

Në pritje të sistemimit të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti në banesa të reja dhe zgjidhjes së shqetësimit të mirëkuptuar prej banorëve në lagjjen e përmendur, një merak e kam edhe për një grup “fantastikësh”, të cilët i shqetëson çdo punë e bukur që kemi bërë e që do vijojmë të bëjmë për Krujën. Pikërisht jemi ne ata që për të shmangur katrahurat urbane të këtyre viteve miratuam planin urbanistik të territorit të bashkisë në mënyrë që askush të mos e ketë më mundësinë të ndërtojë qorrazi, por të zhvillojmë një qytet me hapësirat e duhura në funksion të qytetarëve, turizmit dhe brezave që do të vijnë.

Ndaj solidaritetit fallso të tyre me fatkeqësinë e presupozuar të të tjerëve, që frymëzohen e ngrihen si donkishotiane, e luftojnë kundër mullinjve te erës me shpata politike në dorë, i them që puna dhe vetëm puna na dallon nga Ju dhe angazhimi për transformime rrënjësore të qytetit historik të Krujës, vijon pa asnjë ndërprerje, në çdo “qelizë” të saj me parimin “Qentë” le të lehin, puna te eci përpara!

Si gjithmonë i Juaji!