Përgjatë 5 ditëve me reshje intensive të shirave, edhe Bashkia Krujë u ndesh me problematikat që sjellin këto fenomene natyrore në territor dhe tek banorët. Ndryshe nga çdo vit tjetër, sasia e reshjeve nuk solli dëme në objekte banimi prej përmbytjeve në zonën fushore të Krujës. Për Kryebashkiakin Bushi e gjithë puna ka nisur, menjëherë sapo janë kontaktuar nga Ministria e Brendshme, mbi përfshirjen e zonës së Krujës, në hartën e rrezikut të përmbytjeve. “Sapo jemi njoftuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, se zona fushore e Krujës është në zonën e rrezikut të përmbytjeve, kaluam në gjendje gatishmërie sipas Planit Lokal për Përballimin e Emergjencave Civile, duke mobilizuar gjithë strukturat bashkiake në koordimin me instancat qendrore. Fillimisht, kemi njoftuar të gjithë banorët, përmes administratorëve, policisë bashkiake e kryepleqve, mbi rrezikun që kemi dhe sensibilizimin për të na njoftuar menjehëre sapo të kishim prezence të ujit në toka bujqësore apo shtëpi. Kemi vënë në dispozicion gjithë kapacitetet tona njerëzore dhe logjistike, për të qenë sa më pranë banorëve dhe gjatë gjithë ditëve kemi ndërhyrë aty ku ishte nevoja më e madhe”.

 

Ndër masat e marra gjatë reshjeve ka qenë ndërhyrja në linjën e ujësjellësit të qytetit të Krujës, e cila u dëmtuar si pasojë e rrëshqitjeve të dherave në Malësinë e Krujës dhe ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe për pasojë nuk pati probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Kryebashkiaku shton “Në zonën fushore të Krujës, patëm prezence të ujit në toka bujqësore në fshatin Murqinë, Mallkuç, Derven dhe Miliskaj, por në asnjë rast nuk kishim përmbytje të shtëpive apo bizneseve. Sipërfaqja e tokës me prezencë uji ishte rreth 350 ha në Njësinë Administrative Bubq dhe 70 ha në Njësinë Administrative Thumanë. Ndërkohë në Fushë Krujë, si asnjëherë në këto dy dekada dimri, lumi Zezë nuk doli nga shtrati dhe qindra familje e dhjetra biznese nuk u përmbytën. Kjo falë investimit shumë të mirë që kemi bërë vitin që shkoi. Në pjesën kodrinore dhe malore kishim rrëshqitje të dherave si Bubq Kodër, fshatrat Shkretë, Kroi i Madh, në një pjesë në Nuajë të Njësisë Cudhi dhe bllokim të pjesshëm të KM 1 të rrugës Krujë – Qafështamë. Sot janë të gjitha rrugët rurale të kalueshme, falë punës së bërë pa orar dhe në kushte terreni apo atmosferike tejet të vështira. Puna për të normalizuar situatën do të vijojë edhe gjatë fundjavës, në zonat kudrinore të Njësisë Bubq. Në qytetin e Krujës, kishim një rast të dëmtimit të një biznesi si pasojë e rrëshqitjeve të dherave dhe e gjithë zona është ngritur perimetri i sigurisë.

 

Bashkia Krujë është një nga bashkitë e cila ka një territor të larmishëm e cila fillon nga -5 m mbi nivelin e detit me zonën e Miliskajt e deri në 1723 m mbi nivelin e detit me Majën e Liqenit në Qafështamë, çka fenomenet natyrore sjellin shumë problematika në terren.