Bashkia Krujë: Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, mbetet angazhimi kryesor.
Bashkia Krujë po investon në përmirësimin e rrugëve rurale, ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon në sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve. Fshati Qerekë, Mazhe e Madhe, Mallkuç, Picrragë, Zallë janë 5 fshatrat ku kanë përfunduar punimet ose po investohet. Gjithashtu, së shpejti nis puna në rrugën hyrëse në Thumanë, rruga e Kallarëve në Nikël, rruga e Zenelëve në Arrameras, rruga e Latëve në Larushk. Projektet janë investime të parashikuara në buxhetin e vitit 2018.Këto projekte janë pjesë e strategjisë për të zhvilluar ekonominë rurale.
Bashkia Krujë ka 50 fshatra, ku banojnë rreth 65 % e popullsisë. Baza ekonomike e bashkisë, po ashtu është e përqëndruar në këto zona ku bujqesia, blegtoria është mesatarisht e zhvilluar në formën e vetpunësimit. Një nga vështirësitë e deri tanishme, është mungesa e infrastrukturës rrugore që lidh fshatin me zonen urbane, por edhe lidhja e prodhimit me tregun. Zhvillimi i Agroturizmit është i pamundur, pa ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
“Pra ishim ne situaten e 65% e banoreve te “izoluar” dhe baza ekonomike është kufizuar për shkak të mungesës së konektivitetit, që është parakusht i zhvillimit ekonomik, social, kulturor” thekson Kryetari i bashkisë, Artur Bushi. “Ndikimi i insfrastrukturës publike do i jape më tepër akses banorëve në sherbimet publike, qoftë duke shkurtuar kohën apo rritjen e lëvizshmërisë së njerëzve” theksohet ndër të tjera nga Z.Bushi.
Edhe për vitin 2019, buxheti do të jetë i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale. Aktualisht, po analizohen të gjitha raportet e dala nga dëgjesat me publikun dhe brenda muajit dhjetor në Këshillin Bashkiak do propozohen për miratim, lista e investimeve.