Pas prezantimit të projektit të rindërtimit në qytetin e Krujës, disa familje nga lagjja Subash ngritën shqetësimin se ndërtimi i pallateve të reja, do të bëhet mbi pronat ku tashmë ka disa shtëpi banimi.
Pas marrjes së shqetësimit të banorëve, Bashkia Krujë ka kërkuar gjetjen e një zgjidhje alternative, ku proçesi i rindërtimit do të vijojë, por pa prekur pronat aktuale. Pas diskutimit me Ministrinë e Rindërtimit, AKPT dhe studiot projektuese, Kryebashkiaku Bushi priti në Bashkinë Krujë, përfaqësues të qytetarëve dhe i garantoi se institucioni lokal do të propozojë hapësira të tjera për të vijuar proçesin e rindërtimit. Ai sqaroi se “qëllimi i qeverisë dhe bashkisë është strehimi i banorëve, sa më parë të jetë e mundur, por duke respektuar të drejtën e pronës të gjithkujt”
Kruja është një ndër bashkitë që u dëmtua më tepër nga tërmeti i 26 Nëntorit, ku numri i familjeve të prekura është 4028 familje.