Bashkia Krujë do të hapë këtë të shtunë sezonin turistik, dhe për këtë ka përgatitur një sërë aktivitetesh joshëse për vizitorët. Kryetari i Bashkisë Artur Bushi, bën me dije se për promovimin e turizmit në Krujë, është caktuar data 30 prill, si ditë e hapjes së sezonit turistik, dhe kjo datë do kthehet si festë e përvitshme.
E konceptuar si hyrje në historinë e Krujës, kjo ditë fillon me një sërë aktivitetesh që tregojnë mbi faktet, figurat dhe ngjarjet me rëndësi historike të këtij qyteti.
Guidat turistike që do shoqërojnë vizitorët e shumtë nëpër vendet historike, me panairin e gatimeve tradicionale të zonës, veshjeve krutane, promovimin e artizanatit me prodhimet prej bakri, leshi, druri që krutanët prej shekujsh kanë trashëguar nga të parët e tyre.
Më vonë aktivitetet kulturore do marrin vëmendjen e vizitorëve, me shfaqjet artistike të Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe Grupit Karakteristik të “Pleqtë e Krujës”, ku do performojnë me një sërë këngë dhe valle të zonës së Krujës.
Aktiviteti do të mbyllet me koncertin festiv në orë 19:00 me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur Anxhela Peristeri, Devis Xherahu, Era Rusi, Orinda Huta, Tiri Gjoci dhe Ardit Bufi.
Aktiviteti “TID DAY” organizohet nga Bashkia Krujë në bashkëpunim me TID (Tourism Improvement District-Kruja ) dhe AADF (Albanian-American Development Foundation).