Bashkia Krujë ka nisur një sërë investimesh në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmes tre projekteve të financuara nga buxheti i saj që arrijnë vlerën e 600 milionë lekëve të vjetra.

Sipas Kryetarit të Bashkisë Krujë, Artur Bushi, “premtimi i Bashkisë Krujë për ta kthyer në një kantier të madh ndërtimi ka nisur  me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sidomos në rrugët më problematike të cilat lidhin një sërë fshatrash dhe kanë një numër të madh të banorëve. Gjithashtu shumë shpejt do nisin dhe dy projektet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Thumanë dhe në Qytetin e Krujës”.

Projekti i parë i nisur, është rruga e Rezervave në fshatin Halil, në Njësisë Administrative Fushë Krujë. Me një fond prej 12.365.437 lekë me TVSH, kjo rrugë do të ketë një infrastrukture tërësisht ndryshe nga çfarë situate aktuale tregon. Sipas projektit, investimi përfshin sistemimin, zgjerimin, asfaltimin e kësaj rruge dhe ndërtimin e një ure. Kjo rrugë do u shërbejë rreth 1500 banorëve të fshatit Halil si dhe vizitorëve të Kalasë antike të Albanopolisit.

Po në Njësinë Administrative Fushë Krujë, ka filluar puna edhe në rrugën Arrameras- Kullas me një investimi prej 24.097.606 lekë me TVSH, të financuara tërësisht nga buxheti i Bashkisë Krujë. Rruga me një gjatësi prej 2 km do të zgjerohet, asfaltohet dhe do të ketë një sistem të ri dhe funksional të kanalizimeve dhe vaditjes. Sipas banorëve të fshatit Arrameras, kjo rrugë ishte kthyer në një problem shumë të madh pasi ishte bërë e pakalueshme, si pasojë e “harresës” prej 25 vitesh.

Projekti i tretë i nisur është në Njësinë Administrative Nikël, ku rruga me një gjatësi 1.5 km, falë një investimi prej 23.878.310 lekë me TVSH, do jetë rrugë tërësisht larg gjendjes aktuale. Përpos sistemimit dhe asfaltimit të rrugës, janë parashikuar gjithashtu edhe ndërtimi i dy urave të reja, të cilat do zëvëndësojnë dy tombinat aktuale të amortizuara.

nga: Shqiptarja