Cilat janë tre arritjet/ premtimet kryesore që ju mendoni si të suksesshme gjatë vitit të  parë të drejtimit të Bashkisë Krujë?

Kthimi i Bashkisë Krujë në një institucion të hapur, transparent, bashkë vendimmarrës ku çdo banorë trajtohet me vëmendjen më të madhe në marrjen e një shërbimi të shpejtë e të saktë. Në ditët e para të drejtimit të institucionit u desh një punë e madhe në kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në Bashkinë Krujë. Kjo përmes vendosjes dhe zbatimit të një rregulloreje të qartë, përmes krijimit të sektorit të Marrëdhënieve me Publikun, krijimit të një strategjie të komunikimit dhe programit të transparencës.

Kthimi i ligjshmërisë mbi territorin, ku Kruja ishte shembulli perfekt i abuzimit mbi territorin, ku prona publike shihej si hapësira e radhës që duhet me patjetër zaptuar e asnjëherë vlerësuar me dëshirën për ta mirëmbajtur atë. Prandaj aksioni i parë i ndërmarrë ka qenë prishja e ndërtimeve pa leje, që bashkë me INUK liruam një sërë hapësirash publike. Këto hapësira publike po trajtohen nga zyra e Urbanistikës me projekte, për ti kthyer ne hapësira  në shërbim qytetarëve.

Premtimi më i madh ka qenë  kthimi i Bashkisë  Krujë, në një  kantier ndërtimi ku në 4 vite do bëhen aq sa 25 vite të marra bashkë. E shembull i mirë janë investimet që kanë nisur thuajse në çdo njësi administrative. Përmendim këtu, nisjen e punimeve në rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom, pastrimin e rezervuarit të Thumanës, bashkë me rrjetin e shpërndarjes e cila është një investim i rëndësishëm për ekonominë bujqësore. Futja për  herë të parë e Njësisë Administrative Bubq dhe Nikël, në sistemin e pastrimit të mbetjeve përmes 80 kontejnerëve të shpërndarë në çdo fshat të këtyre njësive bashkë me mjetin teknologjik për zbrazjen e kontejnerëve.  Vazhduar më tej me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me investime të rëndësishme në fshatin Halil, fshatin Grepsë në Nikël, në Arrameras- Fushë Krujë. Apo ato që priten të vazhdojnë brenda kësaj vere, rruga në Dukagjin, në Gramëz dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore në  qytetin e Krujës. Pa harruar edhe investimin e madh të qytetit të Krujës e cila do e ndryshojë gjithë qendrën e qytetit historik.

Çfarë ka bërë Bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes  qytetare (konsultimeve publike,etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

E përmendur më lart, kthimi i besueshmërisë së qytetarëve në Institucionin e Bashkisë Krujë ishte një ndër punët e para që ne nisëm, mes hapash drejt  marrjes së përbashkët të vendimeve që prekin interesat e publikut. Plani rregullues është e një rëndësie madhore sidomos për Qytetin e Krujës dhe nisur nga kjo e gjithë analizimi i territorit dhe mundësitë që ofron janë bërë përmes dëgjesave publike. Buxheti 2016, i pari buxhet si Kryetar i Bashkisë Krujë  dhe i pari që është përgatitur bashkë me banorët e Bashkisë Krujë.

Gjithashtu në funksion të transparencës, është bërë nga e para një faqe e re ne web. Kruja.gov.al, ku çdokush shikon vendimet që merren nga Këshilli Bashkiak, lajmërimet e ndryshme, punët publike që ndërmerren. Gjithashtu çdokush banor mund të dërgojë një ankesë ose kërkese pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, ose përmes hapësirës ne web, Shkruaj Kryetarit ose Përmirëso qytetin (permiresoqytetin.al )

Cilat janë  tre sfidat  kryesore  me të cilat përballet Bashkia e re dhe si mendoni  t’i  adresoni ato?

Infrastruktura rrugore është një ndër sfidat e mëdha të Bashkisë Krujë, sidomos në zonat rurale por gjithashtu edhe qyteti i Krujës përmirësimin e rrugëve brenda lagjeve. Prandaj është menduar, nisur dhe nga kërkesat e vazhdueshme të vetë banorëve, të investohet shumë në këtë pjesë.  Ujësjellës Kanalizime Krujë është dhe sfida më e madhe e mandatit tim, nisur nga problemet e shumta që ka me furnizimin me ujë të pijshëm. Menaxhimi i dobët borxhet e mëdha të akumuluara prej kohësh, nevoja shumë e madhe për investime në rrjetin e shpërndarjes apo mungesa e një rrjeti të shpërndarjes në Njësinë Administrative Bubq dhe Nikël. Aktualisht ka nisur një punë e mirë në mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues, prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe ndërtimin e kolektorëve. Kjo gjë ka ndikuar që furnizimi me ujë të pijshëm të jetë më i madh, por sërish pa plotësuar nevojat për ujë të pijshëm.

Zhvillimi i ekonomisë rurale, përmes një strategjie të mirëfilltë që nisin nga pastrimi dhe sistemimi i kanaleve kulluese, vaditëse apo lidhja e produktit bujqësor me tregun, duke i shtuar këtu dhe subvencionet që jep qeveria shqiptare janë një paketë e mirë e rikthimit të vëmendjes ndaj bujqësisë, nisur nga potencialet e jashtëzakonshme që territori i Bashkisë ofron.

Punësimi  vijon të jetë  problem  për Krujën  dhe ju keni premtuar  zgjidhje. Çfarë është bërë  dhe çfarë pritet të bëhet?

Së pari, duhet të biem dakord që punësimi nuk është problem vetëm i Krujës, është sfidë kombëtare apo dhe rajonale. Kruja është një ndër ato bashki që ka të zhvilluar turizmin, industrinë fasone, bujqësinë sikundër ofron dhe potenciale të mëdha edhe në blegtori. Afërsia gjeografike me kryeqytetin apo dhe Durrësin ka bërë që të jenë mundësi dhe hapësira punësimi. Pa harruar këtu edhe sektori i shërbimeve që është i zhvilluar sidomos në zonat si Fushë Kruja apo zona turistike e qytetit të Krujës.  Investimet publike janë hapësirë e mirë punësimi, ku falë dhe dakordësisë së gjetur nga subjektet që kanë nisur punimet, kanë marrë punëtorë në zonat ku po kryhen punimet.

Zona e Fushë-Krujës  është vazhdimisht  e rrezikuar  nga përmbytjet. Kur do të marrë  zgjidhje  ky problem?

Zona fushore e Bashkisë Krujë, është ndeshur gjithmonë me problemin e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe shtëpive. Është një ndër problemet më shqetësuese, ndaj së cilës ne kemi marrë masa të menjëhershme në Njësinë Administrative Bubq dhe Fushë Krujë. Një ndër masat e para që kemi marrë në Njësinë që preket më së shumti, është Bubqi, ku kemi pastruar kolektorët kryesor me një gjatësi prej 7 km, sikundër dhe kanalet dytësore. Ndërsa në Fushë Krujë është planifikuar në këtë vit buxhetor, thellimi i lumit Zezë, sidomos në pjesën e rurale të kësaj Njësie. Ndërkohë familjet të cilat u preken nga përmbytjet gjatë muajit janar bashkë me biznesin vendas, ju gjendëm pranë mes ndihmash dhe pajisje elektro-shtëpiake.

Fabrikat e çimentos  dhe furrat e gëlqeres vijojnë të krijojnë  ndotje të madhe.  Çfarë do të bëhet me to?

Bashkia Krujë së bashku me Ministrinë e Mjedisit janë konsultuar në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për ta parandaluar sa më shumë ndotjen që shkaktohet nga veprimtaria e dy fabrikave të çimentos. Përmes një monitorimi të kujdesshëm të ndotjes që shkaktohet në atë zonë, është zgjidhja më e mirë dhe në rast se hasen ndotje të ambientit kompanitë do përballen me penalitete sipas ligjit.

Ndërsa për furrat e prodhimit të gëlqeres, në fillim të vitit 2014, u ndërmor një aksion nga Ministria e Mjedisit dhe INUK, në prishjen e tyre në gjithë territorin e Bashkisë Krujë. Dhe prej vitit 2014, Bashkia Krujë e ka vënë në monitorim të vazhdueshëm, në bashkëpunim dhe me agjencitë ligj-zbatuese, aktivitetin e këtyre sipërmarrjeve të cilat kishin një efekt shkatërrues të ambientit, shëndetit të banorëve dhe turizmit.

Kruja vizitohet nga  shumë  turistë më së shumti ditorë . Çfarë  mendoni  se mund të bëhet  për ta  fuqizuar  turizmin  si aktivitet ekonomik në  këtë qytet?

Bashkia e Krujës është e shtrirë thuajse mbi një histori shumë të gjerë e më të rëndësishmen, prej antikitetit, mesjetës dhe moderne. Në territorin e saj janë rreth 26 monumente kulturore dhe 11 monumente të natyrës të cilat bashkë ofrojnë një produkt turistik shumë tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Gjithmonë ka qenë një ndër degët kryesore të zhvillimit ekonomik sidomos të qytetit të Krujës, ndaj të cilës kemi gjithë vullnetin për ta bërë akoma më tërheqës për turistët, përmes investimeve që zgjidhin problemet që turizmi ka. Falë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, shpejt pritet të nisë Rehabilitimi i Qendrës së Krujës duke e kthyer në një hapësirë të madhe publike, zgjerimi i rrugëve nga hyrja e qytetit deri në qendër apo ndërtimi i një parkingu. Bashkë me partnerët e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim AADF, do ngremë një sinjalistikë moderne turistike, apo qendrat Info-Point. Duhet përmendur gjithashtu që në funksion të turizmit u liruan të gjitha hapësirat publike që prej vitesh ishin zënë në çdo pjesë të Kalasë së Krujës. E vendosëm prioritetin më kryesor mirëmbajtjen e zonave turistike dhe në funksion të zhvillimit të artizanatit në zonën e “Pazarit të Vjetër”, i kemi përjashtuar nga taksat lokale gjithë bizneset që operojnë në këtë zonë.

Shumë fshatra  vijojnë të vuajnë  mungesën e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve. A keni  projekte  që të investohet  për zgjidhjen e tyre?

Aktualisht  vlen të përmendet  shërbimi i kanalizimeve  dhe ujësjellës  gjendet  mes një sërë problemesh , që fillojnë  gjerë nga menaxhimi  i dobët i bërë prej kohësh , borxhet e mëdha të akumuluara prej vitesh,  mospagesa  e faturave  nga ana  e konsumatorëve , rrjeti i rënduar  i shpërndarjes  së ujit të pijshëm apo dhe mungesa e tij në disa fshatra të Bashkisë Krujë. Pavarësisht gjithë kësaj  situate, Drejtoria Ujësjellës Kanalizime në  Bashkinë Krujë  ka marrë një sërë nismash në menaxhimin e rrjetit,  ndërprerjen e lidhjeve të  paligjshme , shtimin e rrjetit  në zonat që prej vitesh  nuk kanë pasur rrjet të furnizimit me ujë të pijshëm  apo dhe ndërprerja për konsumatorët debitorë.

Sikundër janë marrë një sërë investime si blerja e një pompe centrifugale në Gramëz, shtrirja e rrjetit në gjithë qytetin e Krujës, deri në fshatin Picrragë. Po ashtu kemi parashikuar në buxhetin e këtij viti, ndërtimin e linjës kryesore të ujësjellësit në Bubq, ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes të ujit të pijshëm në fshatin Budull, ndërtimin e dy depove të ujit në Borizanë dhe ndërtimin e linjës së shpërndarjes në Thumanë.

Gjithsesi duhet përmendur se përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm është një sfidë e madhe, për të cilën do investojmë vit pas viti deri në përmbushjen e premtimit tim për të përmirësuar ndjeshëm këtë sektor.

A ka aktualisht shërbim  pastrimi  dhe të heqjes së mbeturinave  në të gjithë territorin  e Bashkisë Krujë , përfshirë  fshatrat apo shërbimi vijon të jetë i kufizuar vetëm në qytete?

Fillimisht, rishikuam gjithë kontratat që Bashkia Krujë dhe Fushë Krujë kishin me operatorët private që ofronin shërbimin e pastrimit, duke zgjeruar hartën e mbulimit me këtë shërbim. Gjithashtu duke shtuar monitorimin periodik nga ana e Bashkisë në funksion të rritjes së cilësisë së këtij shërbimi.

Për herë të parë në Njësinë Administrative Nikël dhe Bubq, kemi futjen e sistemit të pastrimit të mbetjeve, përmes 80 kontejnerëve dhe mjetin teknologjik për zbrazjen e tyre. Gjithashtu në Fushë Krujë, shtuam dhe 20 kontejnerë në zonat më problematike, duke siguruar një territor më të pastër.

 

nga: Pushtetivendor