Një nga objektivat e Bashkisë Krujë, të planifikuar në buxhetin e vitit 2016 është realizuar në prag të fundvitit me përfundimin e projektit “Sistemim-Asfaltim i rrugës nga Qendër Gramëz deri në lagjen Breg Lumi”. Investimi i Bashkisë Krujë në segmentin rrugor prej 1km e 30m bëri të mundur komunikimin midis rrugës ekzistuese të Gramzës me lagjen Breg Lumi duke u asfaltuar për herë të parë, pasi deri më sot kishte njohur vetëm mirëmbajtjen.

 

Projekti përfshinte një serë shërbimesh dhe rikonstruksion të rrugës në disa faza punimesh si: shtresë çakulli me gjerësi 10cm, shtresë stabilizanti me gjerësi 4cm, dy bankina anësore me gjerësi 75cm dhe vendosje tobine  me diametër 1,30cm. Firma zbatuese e projektit është Sireta 2F dhe vlera e investimit është 16 341 312 lekë.

 

Lidhja dhe komunikimi nëpërmjet infrastrukturës është kusht dhe siguri për një zhvillim të qëndrueshëm në territor dhe ekonomi, si dhe për rritjen e cilësisë së jetës sociale. Banorët e  Gramzës kanë përfituar me këtë rrugë unitetin infrastrukturor dhe mundësinë e barabartë për të komunikuar më lehtë me rrugën kombëtare si një lidhje strategjike.