Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përfaqësuar respektivisht nga Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti dhe Ambasadorja e SHBA, znj. Juri Kim, nënshkruan dje Memorandumin e Mirëkuptimit “Për zbatimin e projekteve të financuara nga grantet e Fondit të Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore”.
Bëhet fjalë për një fond prej 800 mijë USD, që do të përdoret për restaurimin e fortesave në Durrës, Krujë, dhe Prezë të dëmtuara gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.
E impresionuar nga madhështia e Kalasë së Krujës, Ambasadorja e SBA në Tiranë, Znj. Juri Kim shprehu kënaqësinë të ishte pjesë e procesit të ringritjes së monumenteve të kulturës, të dëmtuara pas tërmetit, mes të cilave edhe monumenti, i zgjedhur për të nënshkruar këtë memorandum. Teksa shprehu adhurimin për Heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ambasadorja u shpreh: “Shënojmë fillimin e projektit për restaurimin e disa monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Tërmeti mund të ketë shkatërruar ndërtesa, por nuk ka dëmtuar shpirtin e popullit shqiptar dhe jam shumë e kënaqur që ndodhemi këtu për projektet në Durrës, krujë dhe Prezë. Prej vitit të themelimit, në 2001, Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore, ka ofruar mbështetje për më shumë se një mijë projekte, në mbi 125 vende të botës. Këto angazhime tregojnë se sa thellë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera, por mbi të gjitha, dëshirën tonë, që miqtë tanë të mund ta ruajnë atë. Në Shqipëri ne kemi kontribuuar në shumë projekte përmes fondit të Ambasadorit, si restaurimi i Galerisë 3 në Kalanë e Gjirokastrës; dokumentimin e muzikës polifonike dhe restaurimin e Kullës së Shatit, në Tiranë. Jam shumë e lumtur të nënshkruaj sot, së bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti, këtë Memorandum Mirëkuptimi, prej 800 mijë dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Kalasë së Krujës, mund të them, se ky është projekti më i madh i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore”. Ambasadorja falënderoi të gjithë partnerët që kanë kontribuuar në rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në fushën e trashëgimisë kulturore.
Duke falënderuar Znj. Ambasadore në emër të Qeverisë Shqiptare, ndër të tjera, Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti u shpreh: “Ruajtja e kujtesës është një nga misionet më të rëndësishme të njerëzimit, ndaj edhe ne, krahas me rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, duke u mbështetur tek vizioni ynë për të ardhmen, për një jetë më të mirë, po punojmë për ringritjen e këtyre monumenteve.
Memorandumi që po nënshkruajmë sot është vetëm një copëz e atij projekti madhor që ne duam të çojmë përpara, që ka të bëjë jo vetëm me ruajtjen e kujtesës, por edhe me rijetëzimin e trashëgimisë sonë materiale dhe kthimin e saj në një motor zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
Tashmë kemi disa shembuj të mirë, të cilët ne po punojmë për t’i replikuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Pazari i Gjirokastrës, Pazari i Tiranës, i Korçës, i Krujës, realizuar në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe partnerë të tjerë.
Janë dëshmi se si trashëgimia kulturore mund të kthehet në një faktor zhvillimi jo vetëm lokal, por kombëtar.
Jemi vetëm në një fazë të parë konsolidimi. Puna tashmë ka nisur në disa sektorë paralelisht, me mbështetjen e partnerëve tanë europianë, si në Kullën C në Durrës, këtu në Krujë ku jemi sot, dhe do të pasohet me hapa të tjera, që synojnë t’i japin jetë kësaj trashëgimie, e cila deri më tani është konsideruar si një aset vetëm për t’u ruajtur, dhe që ne duam ta kthejmë edhe në shërbim të komunitetit.