Në Krujë,Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pa nga afër dy prej investimeve më të mëdha në bujqësi, të cilat kanë përfituar nga qasja e re e qeverisë shqiptare në funksion te zhvillimit të bujqësisë, si një nga degët më të rëndësishme në ekonominë shqiptare. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Krujë Z. Artur Bushi panë nga afër një nga serat më modern në Shqipëri dhe të dy bashkë përçuan mesazhin për zhvillim akoma më madh në këtë fushë, pasi mundësitë janë të shumta.

 

Sipas Kryeministrit,bujqësia është sektor nevralgjik në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, e cila zë një peshë të rëndësishme në GDP e Shqipërisë rreth 20% të saj. Rëndësi e marrë, falë dhe politikave të reja në mbështetje të prodhimit, grumbullimit dhe eksportit ku në dy vite është dyfishuar sipërfaqja e serave dhe eksporti i prodhimeve bujqësore ka njohur rritjen më të madhe të 25 viteve të fundit. Tjetër nxitje do jetë edhe Fondi Kombëtar i Garancive të Kredive Bujqësore, falë mbështetjes së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku çdo sipërmarrësi në fshat I janë vënë në dispozicion 300 milion euro kredi me interesa të ulëta.

 

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Krujë përmendi mundësitë e mëdha që ka Bashkia Krujë, nisur nga sipërfaqja e madhe e tokës bujqësore rreth 50% të saj e shembull për këtë mori investimin e bërë ne zonën e Krujës. Gjithashtu garantoi se në buxhetin e vitit 2016 është parashikuar një fond i veçantë për bujqësinë, që bazohet në pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse, çka deri sot është kthyer dhe pengesë për zhvillimin e bujqësisë. Gjithashtu përmendi se më në fund Kruja do te ketë një treg që do menaxhohet nga Bashkia, dhe hapja e saj do bëhet brenda muajit mars, duke siguruar kështu infrastrukturën e duhur për tregtimin e produkteve bujqësore në Krujë.

 

Gjithashtu mes Kryeministrit të Shqipërsië dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë u diskutuan një sërë investimesh që do nisin në Krujë, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare. Një ndër to është edhe zgjerimi i rrugës hyrëse të qytetit, ndriçim të ri, trotuare në gjithë rrugët e Krujës, parkingun e qytetit Krujë dhe rehabilitimin e qendrës së Krujës.