Nga dita e nesërme, shkollat do hapin sërish dyert për maturantë. Në bashkinë Krujë janë 581 maturantë të cilët do të rinisin proçesin mësimor, pas më shumë se dy muaj që janë mbyllur si pasojë e masave të ndërmarra nga Covid-19.

Në këtë fazë, mësimi do të përqëndrohet në mësimet që maturantët kanë nevojë për të dalë suksesshëm nga provimet e maturës 2020.

Nga ana e Zyrës Arsimore Krujë në bashkëpunim me Bashkinë Krujë janë marrë të gjitha masat e udhëzuara nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Gjatë kësaj jave janë dezifektuar ambienteve shkollore, janë vendosur distancat e bankave, vendosur sinjalistika, pajisjet me maska, dezifektant për nxënësit dhe termometër. Në fund të çdo dite mësimi, sërish ambientet do të dezifektohen, duke zbatuar kështu, të gjitha protokollet e sigurisë! 

Institucionet arsimore të hapura në Bashkinë Krujë janë : 1-Shkolla “Bakushe Visha” në Fushë Krujë; 2-Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ramazan Jangozi” Thumanë; 3-Shkolla nr 1 Krujë, 4-Shkolla nr 2, Krujë; 5-Gjimnazi “Shote Galica”, 6-Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ramazan Karaj”, Nikel.