Në Krujë vijon proçesi i rindërtimit e shtëpive të reja për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 Nëntorit. Plot 39 pallate do të shemben në Bashkinë Krujë e nga këto 23 janë në qytetin e Krujës. Menjëherë pas prishjes së pallateve, nis faza tjetër ajo e ndërtimit të infrastrukturës nëntokësore dhe truallit për zonën e re të rindërtimit. Bashkia Krujë është një nga bashkitë më të prekura nga tërmeti dhe është e vetmja bashki me 4 zona të reja rindërtimit. Një nga këto është në Krujë, e cila do të jetë e ndarë në Zonën A në rrugën Gavril Dara, ose Ballëm Efendiu dhe tjetra në rrugën Karl Gega, ose siç njihet ndryshe lagja nr 4.
Gjithashtu në qytetin e Krujës do të demolohen edhe 5 pallate të cilat do të shpronësohen për interes publik. Në qytetin e Krujës janë 684 banesa të cilat do të ndërtohen, nga këta 242 apartamente brenda zonave të rindërtimit dhe 96 apartamente në zonat jashtë sitit të rindërtimit. 96 apartamentet që janë jashtë sitit kanë të bëjnë me rindërtimin e pallateve në vendin ku aktualisht janë të pozicionuar pallatet e vjetra. Në dy zonat e siteve janë 14 pallate që do të ndërtohen dhe 7 pallate janë jashtë siteve. Ndërkohë, 346 shtëpi janë individuale të cilat do të ndërtohen në vendin ku aktualisht e kanë banesën.