Rindërtimi/ Po merr formë qyteza e re në Thumanë, 50 shtëpitë e para janë në ndërtim e sipër!

Në njësinë administrative Thumanë vijon puna për ndërtimin e shtëpive për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në një sipërfaqje prej 16 ha, do të ndërtohen 158 shtëpi individuale dhe 17 pallate, prej ku do të strehohen 278 familje të fshatit Thumanës.

Deri më tani, janë hedhur themelet e 50 banesave të para në të cilën puna vijon me intensitet të plotë në 7 ditë të javës. Ndërkohë është përfunduar puna në infrastrukturën nëntokësore, me kanalizimin e ujërave të zeza, bardha, sistemin e ujësjellësit, telekomunikacionit, sistemin rrugor të brendshëm dhe ndriçimi publik. Ndërkohë, puna për 17 pallatet nis për pak ditë të cilat do të ndërtohen në pjesën perëndimore të sitit.

Kliko këtu për të parë Planin e Detyruar Vendor të Thumanës.

Deklaratë për Shtyp/ Si është e vërteta e familjes Artur Mirdita dhe Selman Mirdita!

Bashkia e Krujës ka reaguar sërish pas publikimeve të fundit të Partisë Demokratike mbi situatën në Thumanë. Sipas zyrtarëve të bashkisë, proçesi i rindërtimit ka nisur dhe po punohet me ritme të shpejta puna. E gjithë zona e re është kthyer në një kantier të madh, për të ndërtuar banesat e reja për çdo familjar që ka humbur shtëpinë nga tërmeti dhe mbi këtë gjë nuk ka asnjë lloj ndasie, përzgjedhjeje apo përfitues të njëanshëm të familjarëve, sikundër PD pretendon. Është absurde ta mendosh, e jo më të bëhet politikë me pasojat e fatkeqësisë natyrore.

Mbi pretendimin e familjarëve, se nuk kanë asnjë lloj informacioni apo asnjë ndihmesë nga ana e institucioneve, familja e Artur dhe Selman Mirditës, trajtohen me pagesën e qerasë për banesën e dëmtuar nga termeti si më poshtë:
1- Artur Mirdita 5 persona, banesë 3+1= 200 mijë lekë/ muaj.
2- Selman Mirdita 6 persona, banesë 3+1= 200 mije lekë/ muaj.

Këtë pagesë qeraje, këto dy familjet e përfitojnë për të paguar shtëpinë, sikundër kanë deklaruar gjatë aplikimit për bonus qeraje. Këtë subvencion financiar do e marrin deri në dhënien e çelësave të shtëpisë së re. Po ashtu, në ditët e post tërmetit dhe ne situatën e karantinimit për shkak të Covid-19, të dyja familjet në fjalë Selman dhe Artur Mirdita janë trajtuar nga Drejtoria e Shërbimit Social me ndihma ushqimore.

“Fakti që këta banorë nuk janë zhvendosur në ambiente me qira, por vijojnë të banojnë në çadra edhe pse trajtohen me bonusin e qirasë është zgjedhje dhe deshire e tyre dhe në asnjë rast në kompetencë apo pergjegjesi e bashkise, apo si pasojë e trajtimit diskriminues ndaj tyre.

“Të dy familjet kanë aplikuar për banesë të re pranë njësisë administrative Thumanë dhe janë përfitues të dy shtëpive individuale, ku secila do të jetë jo më pak se 100 m3 hapësirë banimi” nënvizon bashkia.