Rindërtimi/Vijon shpërndarja e parave për familjet e dëmtuara nga tërmeti, për nivelin DS1 dhe DS2.

Prej ditës së djeshme kryefamiljarët që kanë nënshkruar kontratën për kompensimin e dëmeve, mund të tërheqin paratë pranë Postës Shqiptare ose Bankave të Nivelit të Dytë. Fillimisht ka nisur kompensimi financiar për nivelin DS1 dhe DS2, ku granti për meremetim është respektivisht 100.000 Lekë dhe 250.000 Lekë. 

Për Kryetarin e Bashkisë Krujë, “kjo gjë tregon angazhimin tonë përkundër çdo skeptiku a mosbesuesi, që kostot e meremetimit të shtëpive po kompensohen nga Shteti shqiptar, për të gjithë ata që kanë aplikuar pranë Bashkisë dhe Njësive Administrative, për grantet e rindërtimit”

Gjithashtu, vetëm në fazën e parë do jenë 6 miliard e 600 milion Lekë që po u shpërndahen banorëve, të cilat “injektohen” në ekonominë vendase në këtë situatë të vështirë, duke i dhënë një hov sektorit të ndërtimit dhe ekonomisë lokale në tërësi. 


Krujë/ Nënshkruhet memorandumi për grantin e rikonstruksionit të trashëgimisë kulturore.

Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përfaqësuar respektivisht nga Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti dhe Ambasadorja e SHBA, znj. Juri Kim, nënshkruan dje Memorandumin e Mirëkuptimit “Për zbatimin e projekteve të financuara nga grantet e Fondit të Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore”.

Bëhet fjalë për një fond prej 800 mijë USD, që do të përdoret për restaurimin e fortesave në Durrës, Krujë, dhe Prezë të dëmtuara gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

E impresionuar nga madhështia e Kalasë së Krujës, Ambasadorja e SBA në Tiranë, Znj. Juri Kim shprehu kënaqësinë të ishte pjesë e procesit të ringritjes së monumenteve të kulturës, të dëmtuara pas tërmetit, mes të cilave edhe monumenti, i zgjedhur për të nënshkruar këtë memorandum. Teksa shprehu adhurimin për Heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ambasadorja u shpreh: “Shënojmë fillimin e projektit për restaurimin e disa monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Tërmeti mund të ketë shkatërruar ndërtesa, por nuk ka dëmtuar shpirtin e popullit shqiptar dhe jam shumë e kënaqur që ndodhemi këtu për projektet në Durrës, krujë dhe Prezë. Prej vitit të themelimit, në 2001, Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore, ka ofruar mbështetje për më shumë se një mijë projekte, në mbi 125 vende të botës. Këto angazhime tregojnë se sa thellë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera, por mbi të gjitha, dëshirën tonë, që miqtë tanë të mund ta ruajnë atë. Në Shqipëri ne kemi kontribuuar në shumë projekte përmes fondit të Ambasadorit, si restaurimi i Galerisë 3 në Kalanë e Gjirokastrës; dokumentimin e muzikës polifonike dhe restaurimin e Kullës së Shatit, në Tiranë. Jam shumë e lumtur të nënshkruaj sot, së bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti, këtë Memorandum Mirëkuptimi, prej 800 mijë dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Kalasë së Krujës, mund të them, se ky është projekti më i madh i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore”. Ambasadorja falënderoi të gjithë partnerët që kanë kontribuuar në rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në fushën e trashëgimisë kulturore.

Duke falënderuar Znj. Ambasadore në emër të Qeverisë Shqiptare, ndër të tjera, Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti u shpreh: “Ruajtja e kujtesës është një nga misionet më të rëndësishme të njerëzimit, ndaj edhe ne, krahas me rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, duke u mbështetur tek vizioni ynë për të ardhmen, për një jetë më të mirë, po punojmë për ringritjen e këtyre monumenteve.

Memorandumi që po nënshkruajmë sot është vetëm një copëz e atij projekti madhor që ne duam të çojmë përpara, që ka të bëjë jo vetëm me ruajtjen e kujtesës, por edhe me rijetëzimin e trashëgimisë sonë materiale dhe kthimin e saj në një motor zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

Tashmë kemi disa shembuj të mirë, të cilët ne po punojmë për t’i replikuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Pazari i Gjirokastrës, Pazari i Tiranës, i Korçës, i Krujës, realizuar në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe partnerë të tjerë.

Janë dëshmi se si trashëgimia kulturore mund të kthehet në një faktor zhvillimi jo vetëm lokal, por kombëtar.

Jemi vetëm në një fazë të parë konsolidimi. Puna tashmë ka nisur në disa sektorë paralelisht, me mbështetjen e partnerëve tanë europianë, si në Kullën C në Durrës, këtu në Krujë ku jemi sot, dhe do të pasohet me hapa të tjera, që synojnë t’i japin jetë kësaj trashëgimie, e cila deri më tani është konsideruar si një aset vetëm për t’u ruajtur, dhe që ne duam ta kthejmë edhe në shërbim të komunitetit.

Bashkia Krujë/ Zjarri në Malin e Krujës dogji 50 ha!

Për dy ditë me radhë, në Malin e Krujës pati 4 vatra zjarri e cila përshkroi 50 ha tokë. Pjesa jugore e Malit, u përfshi nga flakët e mëdha të cilat edhe falë erës së fortë u përhap thuajse deri në gjysmën e Malit. Dëmet e shkaktuara ishin në 50 ha tokë e djegur, me barishtet, ferrat dhe 6 ha fidanë të rinj pishe, të cilat ishin mbjellë nga Bashkia Krujë në vitin 2017. Gjithsesi vlerësimi i dëmit do jetë më i saktë, pas përfundimit të ekspertizës.

Dhjetra punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shërbimeve Publike të Bashkisë Krujë dhe zjarrëfikës u munduan të izolojnë vatrat e zjarrit, por terreni i vështirë dhe era e fortë e vështirësoi së tepërmi. U desh ndërhyrja nga ajri i forcave të Ministrisë së Mbrojtjes që vuri nën kontroll zjarrin.

Mbi shkakun e zjarrit, mendohet se është e qëllimshme, por ende po hetohet nga Prokuroria e Krujës.


RIKONSTRUKSIONI I BANESAVE ROME

Ndërhyrja në banesat e Komunitetit Rom është investimi i rradhës në Bashkinë Krujë. Me anë të fondi prej 21.746.740 lekë nga Ministria e Zhvillimit Urban, në Njësinë Administrative Fushë Krujë, ku është edhe i përqëndruar numri më i madh komunitetit Rom, nisi projekti për Përmirësimin e kushteve të banimit.

Ky investim përfshin rikonstruksionin e 35 banesave të komunitetit, të cilat do të restaurohen në mënyrë të plotë, duke ndërhyrë në në ndërtesat të cilat paraqesin rrezikshmëri për banorët apo dhe ato banesa që nuk plotësojnë asnjë kusht për të qenë të jetueshme.

Për Kryetarin e Bashkisë Krujë, Z.Artur Bushi kjo tregon se vëmendja e institucionit tonë është ndaj cilido banori, pavarsisht komunitetit e dëshmi është ky investim I cili prek një komunitet shumë të rëndësishëm duke i dhënë banesave tjetër pamje me të tjera kushte. Gjithsesi për Z. Bushi vëmendja ndaj komunitetit Rom nuk mbaron këtu, pasi bashkë me Organizata Joqeveritare po përgatismin një strategji të mirëfilltë që synojnë rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve publike, ndërgjegjësimin e tyre dhe nxitjen e bashkëpunimit me aktorë të tjerë institucional.

Banorët e komunitetit shprehen se ky investim bëhet për herë të parë dhe ishte kthyer në një domosdoshmëri e madhe, nisur nga situata tejet e rënduar e kushteve të banesave që kanë.

RIKONSTRUKSIONI I REZERVUARIT TE THUMANES

Në Bashkinë Krujë nis një ndër investimet më të rëndësishme për rivitalizimin e bujqësisë, si një degët kryesore ku ekonomia e zonës mbështetet. Me një investimin prej 25,623,340 leke, financuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, në Njësinë Administrative Thumanë, skema ujitëse në Rezervuarin e Thumanës do të vihet në funskion dhe shërbim të fermërëve.

Ky investim përfshin rikonstruksionin, mirëmbajtjen dhe vënien në punë me kapacitet të plotë të rezervuarit  në Thumanë duke nisur me kanalin furnizues   ashtu dhe me sistemin e shpërndarjes në fshatrat e kësaj Njësie Administrative. Gjendja aktuale e tij është kthyer në arsyen që solli dhe “braktisjen” e bujqësisë nga banorë vendas pasi për shkak të amortizimit të rrjetit ekzistues prej 10 vitesh nuk bëhej vaditja e të mbjellave gjatë sezonit të verës dhe mbulimi nga inertet sillte dhe përmbytjen e tokave gjatë sezonit të shirave.

Për Kryetarin e Bashkisë Krujë, Artur Bushi ky investim tregon qartazi vullnetin për ta kthyer bujqesinë në sektorin kyç të zhvillimit ekonomik të Bashkisë Krujë, nisur dhe nga sipërfaqja e madhe e zonës bujqësisë që pjesa fushore e Krujës ka.

ZHVILLIMI I BUJQËSISË PËRMES POLITIKASH NXITËSE

Në Krujë,Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pa nga afër dy prej investimeve më të mëdha në bujqësi, të cilat kanë përfituar nga qasja e re e qeverisë shqiptare në funksion te zhvillimit të bujqësisë, si një nga degët më të rëndësishme në ekonominë shqiptare. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Krujë Z. Artur Bushi panë nga afër një nga serat më modern në Shqipëri dhe të dy bashkë përçuan mesazhin për zhvillim akoma më madh në këtë fushë, pasi mundësitë janë të shumta.

 

Sipas Kryeministrit,bujqësia është sektor nevralgjik në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, e cila zë një peshë të rëndësishme në GDP e Shqipërisë rreth 20% të saj. Rëndësi e marrë, falë dhe politikave të reja në mbështetje të prodhimit, grumbullimit dhe eksportit ku në dy vite është dyfishuar sipërfaqja e serave dhe eksporti i prodhimeve bujqësore ka njohur rritjen më të madhe të 25 viteve të fundit. Tjetër nxitje do jetë edhe Fondi Kombëtar i Garancive të Kredive Bujqësore, falë mbështetjes së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku çdo sipërmarrësi në fshat I janë vënë në dispozicion 300 milion euro kredi me interesa të ulëta.

 

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Krujë përmendi mundësitë e mëdha që ka Bashkia Krujë, nisur nga sipërfaqja e madhe e tokës bujqësore rreth 50% të saj e shembull për këtë mori investimin e bërë ne zonën e Krujës. Gjithashtu garantoi se në buxhetin e vitit 2016 është parashikuar një fond i veçantë për bujqësinë, që bazohet në pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse, çka deri sot është kthyer dhe pengesë për zhvillimin e bujqësisë. Gjithashtu përmendi se më në fund Kruja do te ketë një treg që do menaxhohet nga Bashkia, dhe hapja e saj do bëhet brenda muajit mars, duke siguruar kështu infrastrukturën e duhur për tregtimin e produkteve bujqësore në Krujë.

 

Gjithashtu mes Kryeministrit të Shqipërsië dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë u diskutuan një sërë investimesh që do nisin në Krujë, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare. Një ndër to është edhe zgjerimi i rrugës hyrëse të qytetit, ndriçim të ri, trotuare në gjithë rrugët e Krujës, parkingun e qytetit Krujë dhe rehabilitimin e qendrës së Krujës.

Hartimi i Masterplanit te Pergjithshem

Bashkia Krujë është një prej 26 bashkive që mbështeten nga qeveria për hartimin e planit rregullues të territorit dhe Fushë Kruja ishte qyteti i parë që përfitoi direkt fondin për fasadat dhe kanalizimi i ujrave të shiut, duke i dhënë tjetër pamje qytetit.

Bashkë me Ministren Eglantina Gjermeni diskutuam për projektet që kanë një rëndësi të madhe në Bashkinë Krujë, si një nga zonat me potenciale turistike të mëdha.

TAKIM ME MINISTREN E ZHVILLIMIT URBAN DHE PERFAQESUES TE FONDACIONIT SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ZHVILLIM (AADF)

Kruja ishte vizita e rradhës e  Ministres së Zhvillimit Urban Znj.Egantina Gjermeni dhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro- Amerikan me Kryetarin e Bashkisë Krujë Z.Artur Bushi.  Zhvillimin i mëtejshëm i infrastrukturës e përqëndruar më tepër në atë turistike, rregullimi i qendrës së qytetit Krujë dhe promovimi i Krujës turistike ishin disa nga çështjet kryesore që u trajtuan në takim. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Pazarit të Vjetër, ku falenderuan edhe njëhere për investimin e bërë në Pazarin e Vjetër të Krujës.

 

Gjate  takimit, Ministrja Eglantina Gjermeni siguroi mbështetjen e plotë për Bashkinë Krujë, në vizionin e saj transformues dhe kthimin e Krujës në një identitet historik dhe kulturor, përmes projektesh në rivitalizimin e zonës historike dhe kulturore. Gjithashtu u theksua se vetë Bashkia Krujë është një ndër 26 bashkitë e zgjedhura nga Qeveria Shqiptare ne hartimin e Planit Rregullues të Territorit, e cila aktualisht është në fazën e analizave  mbi mundësitë e zhvillimit që ka Bashkia Krujë, duke ju dhënë një hapësirë e veçantë, qytetarëve të Bashkisë Krujë në dhënien e propozimeve dhe diskutimeve për Planin Rregullues përmes dëgjesave Publike.

 

Nje vend i rëndësishëm ju dha dhe bashkëpunimit me Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, t në financimet konkrete kanë bërë të mundur tjetërsimin e fasadës së Pazarit të Vjetër të Krujës. Gjatë fjalës së tyre falenderuan Kryetarin e Bashkisë për rëndësine që ju dha Kalasë së Krujës me sistemin e zonës hyrëse nga shitësit ambulant dhe lirimin e hapësirave publike. Ata rikthesuan edhe njëhere angazhimin e tyre maksimal për rivitalizimin e zonës historike me plot vlera që kjo zonë mbart. Drejtuesit AADF Z. Aleksandër Sarapulis dhe Z. Martin Mata diskutuan për çështjet që mundësojnë promovimin e turizmit, sikundër sinjalistika turistike duhet, qendra informuese (Info-point) apo dhe pasja e infrastrukturës së nevojshme, pa harruar këtu dhe mbështetjen e artizanëve në nxitjen e punimeve krutane.

 

Kryetari i Bashkisë Krujë, Z.Artur Bushi në fjalën e tij, falenderoi Ministren Eglantina Gjermeni si shprehje e vëmendjes që qeveria shqiptare ka për Krujën. Gjithashtu shprehu mirënjohjen për investimin e bërë të Pazarit të Vjetër të Krujës nga ana e  “miqve të Krujës” siç i cilësoi Kryetari Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Ai siguroi gjithë mbështetjen nga ana e Bashkisë Krujë për çdo projekt në nxitjen e Krujës turistike si dhe bëri një pasqyrim të punës së bërë deri më tani nga ekipi i tij për mirëmmbajtjen e Pazarit të Vjetër, lirimin e hapësirave publike nga tregtarët ambulant dhe ndërtimet pa leje. Gjithashtu vuri në dijeni për taksat e reja që janë parashikuar për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në Pazarin e Vjetër duke i përjashtuar nga çdo lloj detyrimi.