Rindërtimi/ Deri tani në bashkinë Krujë janë prishur 18 pallate dhe 10 godina publike, të dëmtuara rëndë nga tërmeti.

Bashkia Krujë dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka përfunduar fazën e parë me prishjen e 10 godinave publike, 17 pallateve në Thumanë dhe 1 pallati në Bubq. Këto godina janë dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe Instituti i Ndërtimit kishte vendosur që këto godina duhet të rindërtohen nga e para. 

Godinat publike të shembura janë: institucionet arsimore në Thumanë, Bubq, Budull, Derven, Nuajë dhe Mukje, qendrat shëndetësore në Bubq dhe Borizanë, një godinë e arsimit parashkollor në Krujë, si edhe godina e administratës së Spitalit të Krujës. 

Gjithashtu, janë 18 pallate të shembura, prej të cilave 17 janë në Thumanë dhe vetëm 1 në Bubq. Sipas Z. Shuli, Kryeinspektori i Mbrojtjes së Territorit për Bashkinë Krujë, faza e prishjes së godinave do të vijojë, për çdo objekt të dëmtuar rëndë dhe të konfirmuara pas analizës së thelluar inxhinjerike! 

COVID-19/ 97 të infektuar në Bashkinë Krujë, 10 të shëruar dhe 1 person ka humbur jetën.

Në Bashkinë Krujë janë shtuar 5 persona të infektuar me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit! Janë persona kontakti me vatrën në një prej fasonerive të qytetit Krujë. Gjithashtu, është shënuar edhe viktima e parë, 50 vjeç nga Fushë Kruja. I nderi ishte bashkëshorti i një prej punonjësve të infektuar në një fasoneri në Krujë. Referuar Institutit të Shëndetit Publik, i nderi kishte pasur edhe sëmundje të tjera.

Bashkia Krujë shpreh ngushëllimet për familjen dhe apelon sërish për respektimin e distancimit fizik, si masë për të mos rënduar më tej situatën në Bashkinë Krujë.

Bashkia Krujë/ Deri tani 58 të infektuar, 6 të shëruar!

Numri total i të infektuarve në Bashkinë Krujë është 58, duke u rritur më +18 brenda 24 orëve të fundit. Nga të dhënat paraprake kemi vetëm një vatër infeksioni dhe vijon hetimi epidemiologjik nga 2 grupe mjekësh të ngritura nga Njësia e Kujdesit Shëndetësor Krujë.

Njësia më e prekur është qyteti i Krujës me 23 qytetar të infektuar dhe pas saj Fushë Kruja me 18. Ndërkohë, 3 janë shtruar në Spitalin e Infektivit në Tiranë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve/ Nga nesër mund të aplikoni për pagën 40.000 Lekë


Subjektet dhe individët që përfitojnë nga vendimi i qeverisë pagën e jashtëzakonshme prej 40 mijë lekësh mund të aplikojnë nga dita e martë me anë të një formulari “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2” tek portal i Tatimeve. Ata që plotësojnë kriteret do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing pranë këtij portal dhe në vijim kështu atyre u jepet mundësia të aplikojnë duke filluar nga data 21 Prill e në vijim. Sipas administratës tatimore, aplikimi mund të kryhet nga subjekti dhe përfitojnë edhe punonjësit e tij. 

Kush përfiton :
Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrave të qeverisë.

Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrave të Ministrisë deri në datën 10 Prill 2020.

Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrave të lëshuara nga qeveria.

linku https://www.tatime.gov.al/d/8/45/45/1374/paketa-e-ndihmes-financiare-nr2-njihuni-me-menyren-e-aplikimit-per-te-perfituar-ndihmen-financiare-sipas-vkm-nr-305-date-16042020


Bashkia Krujë/ Gëzuar Pashkët Ortodokse

Bashkia Krujë uron të gjithë besimtarët ortodoksë në Shqipëri “Gëzuar Pashkët”.

Përmes një fotoje të kishës së Shën Mërisë pranë Krujës, Kryetari i Bashkisë Z. Bushi, uroji që kjo festë shprese e reflektimi, të sjellë më tepër kujdes ndaj vetes, shëndet e më shumë optimizëm në këto ditë të vështira!

Në Bashkinë Krujë janë një sërë kishash pasi historia e këtij qyteti ka rreth 1000 vite ku popullsia ishte e Krishterë. Këtë e provon fondi i hershëm i toponomastikës së krishterë nga shek I- VII, pra para periudhës së dyndjeve sllaveve.
Shëmri (Shën Maria), kisha e Shën Ndreut në Kala. Kruja ka qenë pjesë peshkopatë vartëse ose suftagane e Peshkopatit të Dioqezës së Epirit të Ri. Kjo ndarja e re i përkiste epokës së Dioklecianit.

Në ballafaqimin e Kostandinopojës me Romën, Kruja si pjesë e Provincës së Epirit të Ri anonte nga Patriarkati i Kostandinopojës. Kjo sidomos nga Perandori Ilir Anastasi I që forcoi marrëdhënient me Kostandinopojën.

Kruja del më në lag si qendër fetare, pas dyndjeve sllave ku qendrat e vjetra u rrënuan si Amantia, Skampa dhe del më në pah Cerniku, Deja, Kruja, Kolonja, Devolli dhe Cerniku.

Gjithashtu, emri Croia del për herë të parë në dokumentat kishtare në Peshkopatin e Durrësit, në shek VI.

Bashkia Krujë i uron besimtarëve katolik “Gëzuar Pashkët”

Kryetari i Bashkisë Krujë ka uruar ditën e sotme të gjithë besimtarët katolik “Gëzuar Pashkët”!


Përmes një fotoje nga kisha në Borizanë, Z. Bushi shprehet “Në festën që na kujton ngadhënjimin e jetës dhe që frymëzon besim e shpresë, për ditë më të mira! Është e dita e përjetësisë, dita e besimit në Zot dhe besimit te vetvetja”

Për shkak të Pandemisë, kjo festë e çmuar për besimtarët katolik nuk mund të festohet në vende publike dhe as nuk mund të mbahet meshë në kishat e territorit të Bashkisë Krujë!

Bashkia Krujë/ Zjarri në Malin e Krujës dogji 50 ha!

Për dy ditë me radhë, në Malin e Krujës pati 4 vatra zjarri e cila përshkroi 50 ha tokë. Pjesa jugore e Malit, u përfshi nga flakët e mëdha të cilat edhe falë erës së fortë u përhap thuajse deri në gjysmën e Malit. Dëmet e shkaktuara ishin në 50 ha tokë e djegur, me barishtet, ferrat dhe 6 ha fidanë të rinj pishe, të cilat ishin mbjellë nga Bashkia Krujë në vitin 2017. Gjithsesi vlerësimi i dëmit do jetë më i saktë, pas përfundimit të ekspertizës.

Dhjetra punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shërbimeve Publike të Bashkisë Krujë dhe zjarrëfikës u munduan të izolojnë vatrat e zjarrit, por terreni i vështirë dhe era e fortë e vështirësoi së tepërmi. U desh ndërhyrja nga ajri i forcave të Ministrisë së Mbrojtjes që vuri nën kontroll zjarrin.

Mbi shkakun e zjarrit, mendohet se është e qëllimshme, por ende po hetohet nga Prokuroria e Krujës.


Bashkia Krujë/ Deri tani në territorin tonë janë konfirmuar 5 raste të infektuar me Corona-Virus!

Bashkia Krujë njofton se në territorin e saj, janë konfirmuar 5 qytetar të infektuar me Corona Virus. Të pesë rastet janë në Fushë Krujë dhe pjesëtar të një familje. Rasti është izoluar dhe gjurmuar dhe për pasojë vatra e infenksionit është nën kontroll dhe mbikqyret vazhdimisht.

Sipas Redion Rroshit, Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë, u shpreh se vend për panik nuk ka, por kujdesi duhet shtuar akoma më shumë, kjo sidomos në zonat urbane. Gjithsej në Krujë janë testuar 25 raste të dyshuara, por vetëm pjesëtar të një familje janë infektuar. Mendohet se rasti ka erdhur nga Italia, pasi një e afërme e familjes ka emigruar nga vendi fqinj.

Mjekët e NJVKSH Krujë

Bashkia Krujë/ Deri tani asnjë i prekur në territorin tonë! Frikë JO, Kujdes PO!

Bashkia Krujë njofton se deri më tani në territorin e saj, nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Corona Virus. Por kërkohet që nga ana e qytetarëve të saj, vigjilenca duhet të jetë e lartë nga secili prej banorëve, duke mbajtur higjenën personale dhe duke evituar grumbullimet në vendet publike!

Kjo është një betejë, me një ‘armik’ të padukshëm dhe bashkë do ja dalim! Nesër shmang çdo lëvizje, e rëndësishme është vetëm shëndeti! Në rast se keni shqetësime si temperaturë, kollë apo vështirësi në frymarrje, lutem kontaktoni nr 127!

Nga ana e saj, institucioni ynë, në zbatim të urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka mbyllur të gjitha çerdhet dhe kopshtet,si dhe po bashkëpunon me Policinë e Shtetit, duke mbyllur Bar -Restorantet deri në një njoftim të dytë! Gjithashtu, janë dezinfektuar rrugët, koshat e mbeturinave, hapësirat publike dhe godinat e shërbimeve publike, në zonat urbane!

Dezifektimi i rrugeve kryesore ne Kruje

Kërkohet shmangia e blerjeve nëpër tregjet e hapura apo të mbyllura të produkteve bujqësore dhe blegtorale!

FRIKË ASPAK, KUJDES PO! SHUMË FARE MADJE!